Jude Bellingham imiton David Beckham

Jude Bellingham ka bërë debutimin e tij në një tjetër fushë, atë të modës, duke u bërë protagonisti i fushatës më të re publicitare të markës së njohur Calvin Klein. Ylli i Anglisë dhe Real Madridit ka pozuar vetëm me të brendshme, në një seri fotografish që kanë tërhequr vëmendjen e fansave dhe medieve. Me këtë bashkëpunim, 23-vjeçari duket se ndjek gjurmët e David Beckhamit, i cili prej vitesh është një prej emrave më të njohur të futbollit në botën e reklamave të veshjeve intime.

Bellingham është imazhi i linjës Icon Cotton Stretch të Calvin Klein. Fushata është realizuar gjatë verës në Madrid, ndërsa futbollisti nuk e ka fshehur kënaqësinë për këtë eksperiencë të re.

“Më pëlqeu shumë puna për këtë fushatë. Më tërhoqi ideja e ‘ikonës së fshehur’, sepse besimi te vetja nis kur ndihesh rehat me veten. Calvin Klein është një markë ikonike dhe ishte kënaqësi ta përcillja këtë ide në mënyrën time”, u shpreh anglezi.

Ndërkohë, Bellingham po shkëlqen edhe në fushën e lojës. Të dielën, në ndeshjen ndaj Racing Santander, ai shënoi golin e tij të 50-të me fanellën e Real Madridit. Për ta arritur këtë shifër iu deshën vetëm 154 ndeshje, duke lënë pas një tjetër legjendë të klubit, Zinedine Zidane, i cili kishte realizuar 49 gola në 227 paraqitje.

Që prej transferimit nga Borussia Dortmundi për rreth 115 milionë paund, Bellingham ka fituar pesë trofe të rëndësishëm me madrilenët dhe synon të shtojë të tjerë në koleksionin e tij.

Tashmë, krahas paraqitjeve sportive, anglezi po konsolidon edhe imazhin e tij si një prej figurave më të kërkuara nga markat ndërkombëtare, duke ndjekur modelin e David Beckhamit dhe futbollistëve të tjerë që kanë qenë protagonistë të fushatave të Calvin Klein.