I tillë ka qenë simboli i këtij futbolli. Katenaço ishte stili i Italisë, dhe nuk kishte një emër edhe pse Klaudio Xhentile u bë mishërimi i tij, ndërsa ekipi i sotëm ka një tjetër hero. Federiko Kieza, kampion i Europës bashkë me shokët e tij, bëri që gjithë kontinenti të binte në dashuri me të, gjatë turneut që fare mirë mund të quhet londinez. Gjithsesi, pavarësisht meritës së Kiezës, Barelës, Jorginjos, Insinjes apo Lokatelit, arkitekti i Italisë ishte trajneri i saj, Roberto Mançini.
Njeriu që e ka udhëhequr në 34 ndeshje radhazi pa asnjë humbje, që nga 2018-ta e deri më sot, dhe që në Europian të kishte ekipin më sulmues, me përjashtim të ndeshjes ndaj Spanjës. Sot po pritet nga presidenti Matarela, kryeministri Dragi, e po merr vlerësimet e Papës Françesk, ndërsa bashkë me skuadrën meritoi një parakalim me autobus të hapur në rrugët e Romës. Gjithsesi, në momentin e prezantimit në 16 maj 2018, askush nuk priste që Mançini të realizonte diçka të tillë, padyshim epokale. “Duhet të fitojmë, – tha së pari tekniku, – sepse ne jemi Italia, dhe Italia duhet të kërkojë gjithnjë që të fitojë, edhe atëherë kur ndoshta nuk është favorite. Kjo, për atë që përfaqësojmë. Ne duhet të fitojmë dhe të luajmë mirë”.
Euro 2020 ishte kurorëzimi dhe nuk mungoi lavdërimi i atij që cilësohet si patriarku i futbollit total në Itali, Arrigo Sakit, njeriut që udhëhoqi Italinë deri në finalen e Kupës së Botës 1994, humbur me penallti ndaj Brazilit në Los Anxhelos. Saki ishte krijuesi i Milanit të madh të viteve 80-90-të, me treshen holandeze Rajkard-Gulit-Van Basten, dhe yjet italianë si Maldini, Barezi, Ançeloti apo Donadoni, duke fituar dy Champions e duke dominuar Europën me lojën e tij.
“Italia e Mançinit më ka bërë përshtypje të madhe, – thotë Saki, – ai e shkatërroi kornizën e lojës mbrojtëse që ka qenë gjithnjë thelbi i futbollit tonë. Për një kohë të gjatë kemi menduar se të shkatërrosh është më mirë sesa të ndërtosh. Nuk është rastësi që në këtë Europian vuajtëm vetëm me Spanjën, një shkollë futbolli që këta 10 vjet ka krijuar një stil të jashtëzakonshëm. Italia e sotme e Mançinit ka bukurinë e lojës dhe karakterin e hekurt”. Nuk dihet sesa mund të zgjasë dashuria e italianëve me futbollin sulmues, por Roberto Mançini në stol dhe një brez i ri në fushë të bëjnë optimist.
Sfidanti.al