Trajneri i Bayern-it, Vincent Kompany, foli pas eliminimit nga Paris Saint-Germain në UEFA Champions League, duke pranuar superioritetin e rivalit, por edhe duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij. Tekniku belg deklaroi se bavarezët zhvilluan një ndeshje të fortë dhe se diferenca u bë vetëm nga disa episode të vogla. “Është e vështirë të pranohet eliminimi, sepse ishte një përballje shumë e ekuilibruar. Në pjesën e parë ndjeva se ne ishim më të mirë dhe arritëm disa herë në zonat ku zakonisht bëhemi të rrezikshëm. Megjithatë, PSG u mbrojt shumë mirë dhe nuk na lejoi të finalizonim aksionet”, tha Kompany.
Ai theksoi gjithashtu energjinë dhe angazhimin e ekipit të tij, pavarësisht zhgënjimit për moskualifikimin në finale. “Skuadra tregoi karakter dhe intensitet gjatë gjithë ndeshjes. Fatkeqësisht aventura jonë në Champions përfundon këtu, por do të kemi mundësi të tjera në të ardhmen. Kjo duhet të na motivojë për të vazhduar përpara”, u shpreh trajneri i Bayernit.
Në fund, Kompany rezervoi fjalë të mëdha për klubin francez, duke e cilësuar PSG-në si një nga ekipet më të mira në kontinent gjatë viteve të fundit. “Niveli i të dyja skuadrave ishte shumë i lartë. PSG ka cilësi të jashtëzakonshme dhe ndoshta ka qenë skuadra më e mirë në Europë në dy sezonet e fundit. Përballjet tona kanë qenë gjithmonë të forta dhe të balancuara. I uroj PSG-së sukses, ndërsa ne do të rikthehemi më të fortë”, përfundoi Kompany.
sfidanti.al

