Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda në konferencën e parë në kuadër të grumbullimit për dy ndeshjet e nëntorit kundër Izraelit dhe Republikës së Irlandës, në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve, ka theksuar se objektivi kryesor i Kosovës është të mbetet në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe të sigurojë një pozitë më të mirë në vazot e shortit për garat e ardhshme.
“Objektivi ynë është që të fitojmë çdo ndeshje, pavarësisht se për cilën ndeshje bëhet fjalë. Por, objektivi kryesor është që të mbetemi në Ligën B dhe të jemi në një vazo më të mirë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që fillimisht ta fitojmë ndeshjen kundër Izraelit në shtëpi”, ka deklaruar Foda.
Ndërkohë, drejtori i përfaqësueses, Bajram Shala, ka rikujtuar se në këtë grumbullim për herë të parë do të jenë Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi. Për këtë të fundit, ai ka sqaruar se ende është në proces kompletimi i dokumentacionit në FIFA.
Shala ka njoftuar gjithashtu se Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani do të mungojnë për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë fundjavës me klubet e tyre, ndërsa Lumbardh Dellova do t’i bashkohet ekipit, por gjendja e tij fizike do të vlerësohet nga stafi mjekësor. E për shkak se ende janë në proces të rikuperimit nga lëndimet nuk janë ftuar as Albian Hajdari dhe Vesel Demaku.
Përzgjedhësi Foda ka theksuar se përfshirja e futbollistëve të rinj është pjesë e strategjisë për të ruajtur cilësinë e Kombëtares dhe për t’u përgatitur për kualifikimet e ardhshme të Kampionatit Evropian.
“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, ka thënë Foda.
Ai ka shtuar se stafi i tij përcjell futbollistët në kampionatin vendor dhe në ligat ndërkombëtare, duke i kushtuar rëndësi të veçantë identifikimit dhe zhvillimit të talenteve të rinj.

