Verstapen-Hamilton, kush do ta fitojë titullin në Formula 1?!

Kush do ta fitojë titullin botëror në Formula 1? Gara është shumë e madhe mes Ljuis Hamiltonit të Mercedesit (7 herë kampion i botës), dhe Maks Verstapenit të Red Bullit, ndërsa “La Gazeta delo Sport” merr mendimin e 5 ish-pilotëve. Zhan Alezi thotë se “kishim nevojë për një sfidë të tillë, mendoj se që të dy e meritojnë, dhe shanset janë 50 me 50 për qind”. Francezi tjetër, Rene Arno thotë se “kampion i botës do të dalë Ljuisi pasi di të menaxhojë momentet e vështira”. “Unë shpresoj që të fitojë Verstapeni sepse dua që të ketë një ndryshim, por Hamiltoni më duket se ka më shumë shanse edhe sepse Mercedesi reagon në momente të vështira”.

Zhak Vilnëv, kampion i botës në 1997, thotë se “Verstapeni është sot për sot piloti i përsosur, ndërsa Hamiltoni nuk është, dhe renditja nuk thotë të vërtetën sepse Ljuisi ka bërë më shumë gabime, por ia ka hedhur pa u lagur shumë, – thotë kanadezi, – me motorin e ri, Hamiltoni do të jetë i fortë”. Italiani Xhankarlo Fizikela vë bast për Verstapenin. “Maksi nuk ka qenë me fat, – thotë ai, – por unë sërish vë bast për të. Shanset i jap 60 me 40”. Piloti tjetër, Jarno Truli, thotë se “Hamiltoni ka përvojë, Verstapni ka më shumë shpirt gare, ndërsa titullin do ta vendosin episode”. Holandezi ka 7 fitore dhe 8 vende të para në prova, ndërsa anglezi ka 5 fitore dhe 5 “pole position”, deri tani.

Sfidanti.al