Kovidi godet katër herë kombëtaren, pozitivi i i fundit është Veseli!

Tashmë u bënë katër. Frederik Veseli është i infektuari më i fundit me koronavirus nga lojtarët e kombëtares. Mbrojtësi nga Kosova doli pozitiv pas kontrollit që bëri me t’u kthyer në klubin e tij të Salernitanës, pas grumbullimit me ekipin përfaqësues për ndeshjet me Hungarinë e Poloninë. Klubi i Italisë së Jugut njofton në komunikatë se ai ishte i infektuar përpara mbërritjes në Salerno, se nuk ka pasur kontakte me shokët e skuadrës dhe se është izoluar mënjeherë. Veseli është i katërti lojtar i kombëtares që rezulton me Kovid, ndërsa përpara tij ishin edhe mbrojtësi Erion Hoxhallari, sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi tjetër, Ivan Balliu. Hoxhallari humbi ndeshjen ndaj Hungarisë duke qenë i pari i infektuar bashkë me fizioterapistin Voci, ndërsa Cikalleshi e Balliu nuk luajtën dot ndaj Polonisë, edhe pse mbrojtësi i Vajekanos u dha fillimisht si i dëmtuar. Mungesa e tyre ndikoi në rezultatin e ndeshjes eleminatore të Botërorit, që ishte humbje e Shqipërisë në “Arenën Air Albania”, ndërsa Veseli u aktivizua në atë përballje.

Sfidanti.al