PSG e Mbapeja nuk patën Mesin e Nejmarin, por patën … VAR-in!

Mund të jesh për të ngelur në klasë, të paktën për një ndeshje, ose për të marrë një “5” me zor, edhe pse je nxënësi më i mirë, por ndodh që fati të ndihmon edhe në raste të tilla. Kështu ndodhi me Paris SG dhe Kilian Mbapenë, pasi të plotfuqishmit e Ligës së Parë të Francës, u shpëtuan nga një penallti tepër e dyshimte për të mundur modestët e Anzherit. U luajt në “Parkun e Princave” të Parisit, dhe kryeqytetasit arritën fitoren 2-1 vetëm pas një penalltie që krijoi polemika dhe që u dha në fund. Kilian Mbape shënoi golin, ndërsa Mesi e Nejmar nuk mund të ishin me shokët për shkak se ishin të angazhuar me kombëtaret në ndeshjet eleminatore të Botërorit në Amerikën e Jugut.

Anzheri u ankua se u shkaktua faull nga Ikardi ndaj Romen Tomasit përpara aksionit të 11-metërshit. “Kjo është e turpshme, – tha Tomasi pas ndeshjes, – ne punuam gjithë javën për këtë ndeshje dhe gjyqtarët nuk e gjejnë kohën të bëjnë punën e tyre. Jam i lodhur me VAR-in, po shpenzohen miliona për diçka që nuk di ta përdorësh”. “E kuptoj zemërimin e Anzherit, – tha trajneri i PSG-së, Poçetino, – edhe unë kam qenë në pozita të tilla, me vendime që kanë qenë kundër nesh. Këto janë gjëra që ndodhin. Jam i lumtur për Mbapenë, një lojtar me cilësi tepër të larta që na ndihmoi edhe sot”.

Sfidanti.al