Faza përgatitore, apo Para-sezoni siç quhet në SHBA, përfundoi dhe skuadra e madhe nga Los Anxhelosi doli me duar bosh. Natyrisht, kjo nuk prish asnjë punë sepse ndeshjet zyrtare fillojnë në nëntor, veçse që një ekip i tillë të pësojë 6 humbje në 6 sfida kjo duket diçka e rëndë. Disfata e fundit ishte përballë Sakramentos, 112-116, edhe pse Lebron Xhejmsi e udhëhoqi shumë mirë ekipin. Veterani 36-vjeçar, që do të luajë sezonin e 18-të në NBA, shënoi 30 pikë, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 6 asiste dhe bllokoi dy gjuajtje në 29 minuta në parket. Rasëll Uestbruk shënoi 18 pikë, pati 5 asistë e 3 topa në tabela, ndërsa Entoni Dejvis shtoi 14 pikë e 12 topa në tabela. Kjo nuk mjaftoi dhe tashmë mediat amerikane po përmendin fjalën “krizë” për Lejkërsat, edhe pse kanë treshen e madhe në përbërje.
Sfidanti.al