Torino e Madhe u shua 71 vjet më parë në Tragjedinë e Supergës!

Don Rikardo, prifti i Bazilikës së Supergës në Torino, sot do të jetë i vetëm. Ndryshe nga tradita askush nuk do të mundet të shkojë në kishë për ceremoninë e përkujtimit të 31 viktimave të tragjedisë ajrore të 4 majit 1949, ku u shua skuadra e Torinos së Madhe, siç njihej në atë kohë. Aeroplani i markës FIAT u përplas me murin e Bazilikës që ndodhet në kodrën në periferi të qytetit. Shkak i aksidentit ajror ishte shikueshmëria e ulët për shkak të kohës së keqe, që mund të ketë ngatërruar pilotët, për më tepër me teknologjinë e asaj kohe.

Në bord ishin 27 pjesëtarë të Torinos dhe 4 të ekuipazhit. Lojtarët e humbur ishin: Baçigalupo, Balarin, Bonxhorni, Kastiliano, Fadini, Gabeto, Grava, Grezar, Loik, Marozo, Marteli, Valentino Macola, Menti, Operto, Osola, Rigamonti, Shubert. Trajnerët ishin anglezi Lesli Liveslej, hungarezi Egri Erbstein dhe italiani Otavio Korina. Përveç tyre, 3 zyrtarë të klubit si dhe 3 gazetarë si Renato Tozati, Renato Kazalbore dhe Luixhi Kavaliero.

Një milionë njerëz dolën në rrugë në atë kohë për funeralin e viktimave, ndërsa Torino u shpall kampione në 6 maj 1949, pas kërkesës së klubeve të tjerë të Serisë A. Skuadra e mbiquajtur “e Madhe” fitoi titujt kampion radhazi 5 herë: 1942-1943, 1945-1946, 1946-1947, 1947-1948, 1948-1949.

Sfidanti.al