Simona Halep, “mbretëresha” e re e Uimbëlldonit, dorëzohet legjenda Serena Uilliams!

Nuk ishte dita për të thyer rekordin më të madh, por ishte sërish një ditë e madhe. Mbretëresha e Uimbëlldonit, përpara syve të familjes mbretërore, nuk do të ishte ajo që pritej, Serena Uilliams, por një vajzë e ardhur nga Rumania, me emrin Simona Halep. Njëzeteshtatëvjeçarja e lindur në qytetin-port të Konstancës, sfidoi çdo parashikim duke mos lejuar Serenën që të barazonte rekordin absolut të australianes Kërt, me 24 Grand Sleme në karrierë. Halep, kampione edhe e “Rolan Garosit” të Parisit në 2018, luajti një finale të madhe duke triumfuar aq lehtë sa nuk imagjinohej, 2-0, dhe me rezultatin e seteve 6-2 e 6-2.

“Nuk kam luajtur kurrë një ndeshje më të mirë se kjo, – tha Halep, – Ishte ndeshja ime më e mirë. Serena ka qenë frymëzimi ynë, ndaj e falenderoj. Ishte hera e parë që luaja para tribunës mbretërore. Isha shumë e nervozuar kur dola në fushë, nuk e ndjeja mirë stomakun, por pastaj thjesht u përqëndrova për të bërë lojën time. Ishte ëndrra e mamasë sime që unë të luaja e të fitojë në Uimbëlldon. Për fat, e ndryshova pak lojën time që të isha më mirë në fushat me bar, dhe kjo më ndihmoi. Tani mezi pres të kthehem sërish këtu vitin tjetër”.

Serena e pati të pamundur të përballonte një teniste 10 vjet më të re se veten, duke mos qenë edhe në formën më të mirë fizike. Ajo do të përpiqet të barazojë rekordin në US Open, ndonëse Halep, tashmë numri 4 në botë, mund të quhet favorite edhe në Grand Slemin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sfidanti.al