Humels, sërish kapiten i Dortmundit në “ndeshjen e shekullit”

Nuk mund të ishte ndryshe për një fshat me vetëm 702 shpirtëra, pra me 702 banorë. Skuadra fshatare e kategorisë së tetë, FC Shvajnberg, luajti një miqësore ndaj Borusias së Dortmundit, ndaj edhe banorët e cilësuan si “ndeshja e shekullit”. Plot 5 000 njerëz ishin në stadium, kuptohet të ardhur nga fshatra të tjerë aty rrotull.

Për Mats Humelsin ishte rasti të vishte fanelën verdhekuqe pas 3 vitesh tek Bajerni, madje vetëm pas 9 ditësh stërvitjeje, të mbante në krah edhe shiritin e kapitenit. Në pjesën e parë, trajneri Lysien Favre pati kapiten veteranin Lukas Pishçek (33 vjeç), por pastaj e zëvendësoi dhe shiriti i kaloi Humelsit. Ish-kampioni i botës ishte shtylla e mbrojtjes, në krah të Diallosë dhe Zagadusë, për kënaqësinë e trajnerit. “Jam i lumtur që u kthye tek ne, – tha Favre, – për 3 vjet, mungesa e tij ishte boshësi e madhe”. Dortmundi fitoi 10-0 me 4 gola nga Filip, ndërsa mungoi ylli Marko Rojs.

Sfidanti.al