Olivier Giroud e zbulon arsyen se pse u largua nga Arsenali

Olivier Giroud po përgatitet për një rikthim emocional në veri të Londrës këtë javë, kur Lille do të përballet me Arsenalin në Ligën e Kampionëve.

Ai ka folur për vendimin e vështirë për t’u larguar nga klubi në vitin 2018, duke zbuluar se ky transferim ishte plotësisht i domosdoshëm për ta siguruar vendin e tij në Kombëtaren e Francës për Kupën e Botës. Ai gjithashtu e ka lavdëruar stilin e lojës gjatë kohës së tij te Arsenali.

Giroud pritet të përballet me Arsenalin të martën në mbrëmje, kur Lille do të vizitojë stadiumin “Emirates” në kuadër të Ligës së Kampionëve. Duke folur për “Mirror”, Giroud kujtoi largimin e tij drejt Chelseat në janar të vitit 2018. I pyetur se pse vendosi të largohej, Giroud shpjegoi: “Ishte pjesë e karrierës sime dhe e kohës sime. Më duhej të largohesha nga klubi për të luajtur në Kupën e Botës 2018 dhe ne e dimë se si përfundoi historia. Isha vërtet i trishtuar që po largohesha nga klubi, por duhej ta merrja atë vendim. Ishte një vendim i vështirë në karrierën time, por ishte i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për vazhdimësinë e karrierës sime”.

Giroud shënoi 105 gola në 253 paraqitje për Arsenalin nën drejtimin e Arsene Wengerit. Ai vazhdon ta vlerësojë lart futbollin që luanin në atë periudhë.