Edon Zhegrova ishte një nga pikat më të ndritshme të Juventusit në ndeshjen ndaj Cagliarit. Me hyrjen e tij në fushë, skuadra e Luciano Spallettit u rikthye në lojë dhe krijoi më shumë rrezik në sulm, duke dëshmuar se kosovari mund të ishte një armë e rëndësishme për bardhezinjtë.
Paraqitja e tij ka rikthyer në vëmendje vendimin e klubit për ta lënë jashtë listës së UEFA-s për Ligën e Evropës. Pas një vere gjatë së cilës Juventusi u përpoq ta shiste lojtarin, ky vendim tashmë po duket gjithnjë e më i vështirë për t’u justifikuar, veçanërisht pas asaj që Zhegrova tregoi ndaj Cagliarit.
Kosovari vjen nga një sezon i shoqëruar me probleme fizike. Në pjesën e parë të sezonit të kaluar, Igor Tudor e aktivizoi rrallë, ndërsa Luciano Spalletti, nga fundi i nëntorit e tutje, e përfshiu më shumë në planet e tij dhe shpesh e bëri të ndihej i rëndësishëm. Megjithatë, për shkak të gjendjes fizike, trajneri mund të mbështetej tek ai vetëm për minuta të kufizuara.

