Me apo pa më të mirët, nuk mbetet pa titullin e favorites. Skuadra e basketbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon si e tillë në Kupën e Botës që nis në Kinë në 31 gusht, edhe pse nuk është aspak në formën më të mirë. Pas humbjes me Australinë, SHBA-ja mundi Kanadanë 84-68, duke mos qenë asnjëherë në humbje, e duke kthyer disi besimin në vetvete. Në Melburn, amerikanët pësuan humbjen e parë pas 78 ndeshjesh radhazi.
Mungesa e lojtarëve si Lebron Xhejms, Kevin Durant, Koui Leonard, Stefën Kërri apo Xhejms Hardën, e bën të vështirë detyrën për skuadrën legjendare në Kinë, por gjithsesi, Shtetet e Bashkuara jepen favorite. Gjithnjë e më shpesh po ndodh që yjet më të mëdhenj amerikanë refuzojnë kombëtaren, të painteresuar për një lavdi të tillë. NBA është tepër e fortë dhe e lodhshme për të lejuar ngarkesa të tjera.
Ekipi i trajnerit të lavdishëm Greg Popoviç ka vetëm emra si Kemba Uoker, Xhejlën Braun, Kris Midëllton, Donovan Miçëll apo Xhejzën Tatëm, dhe fare mirë mund të jetë i thyeshëm.
Cilët pritet të jenë rivalët kryesorë të Amerikës në Kinë? Padyshim jo skuadra vendase, ndërsa Spanja apo Argjentina nuk janë në nivelet e dikurshme. Pretendente numër 2, sipas parashikimeve, është Serbia. E cilësuar një superfuqi që prej viteve 60-të kur ishte Jugosllavi, skuadra e trajnerit Gjorgjeviç ka 4 lojtarë në NBA-së, si Nikola Jokiç të Denverit, Boban Marjanoviç të Filadelfias dhe Bogdan Bogdanoviç e Nemanja Bjelica të Sakramentos.
Përveç tyre, janë edhe mjaft lojtarë të ligave më të forta të Europës, por të dëmtuar mbeten yje si Teodosiç, Kuzmiç apo Milosavljeviç. Dy herë kampione e botës si Serbi dhe 5 herë total bashkë me kohën e ish-Jugosllavisë, skuadra ballkanase gjithnjë e ka një shans.
Lituania e trajnerit Adomaitis vlerësohet si pretendente e tretë. Traditën e lavdishme të Sabonisit, Kurtinaitisit apo Marçulionisit sot e vazhdojnë Domantas Sabonis e Jonas Valançiunas që luajnë në NBA, ndërsa plot 5 lojtarë luajnë në ligën lituaneze me Zhalgirisin e Ritas Vilniusin.
Pretendentja tjetër serioze cilësohet Greqia, dhe kjo së pari për shkak të Janis Antetokumbosit. Lojtari më i mirë i NBA-së sezonin e kaluar, do të ketë në krah vëllanë e tij, Thanasisin, që gjithashtu luan për Miluokin. Dy afrikanët e lindur në Greqi udhëheqin një ekip me emra të respektuar si Kalathes, Burusis, Slukas, Princezis apo Papanikolau.
Sfidanti.al