Lerda pret Olsi Ramën për blerjet: E ardhmja? Optimist, por nuk varet nga unë!

Në letër është ndeshja më e lehtë e mundshme. Luftëtari që u pa ndaj Tiranës nuk u duk ndonjë rival për të prishur punë, as kur luan në fushën e tij, por trajneri i Partizanit, Franko Lerda, nuk ka dëshirë të nxitohet. Jo më kot, të kuqtë kanë 22 vjet pa fitore në Gjirokastër.

“Është e vështirë, e dimë, – thotë ai, – Por, çdo ndeshje ka historinë e saj. E kemi harruar ndeshjen ndaj Kukësit, dhe tani jemi optimistë, duam të mendojmë pozitivisht dhe jemi përqëndruar tek kjo ndeshje që, siç e thamë, nuk është e lehtë. Urojmë ta prishim këtë tabu, që nuk fitojmë atje prej 22 vitesh, aq më tepër sepse kemi nevojë për pikë”.

A ekziston presioni tek Partizani pas humbjes me Kukësin? “Jo, në çdo ndeshje ka presion, dhe në çdo ndeshje ne duam që të japim maksimumin, por jemi të qetë, jo të shqetësuar, – ishin fjalët e italianit, – Duhet të kemi motivimin e duhur, sepse presioni mund të sjellë gjëra negative. Kampionati sapo ka nisur, duhet të kemi durim, besim, por jo presion të tepruar”.

Lerda nuk pranoi të fliste për rivalët për titull, si edhe për transferimet e mundshme. “Jo, është shumë shpejt, – tha prerë, ai, – Sipas meje duhet të presim mbylljen e fazës së parë, që të shohim kush do të jenë pretendentët, pasi skuadrat janë ende duke ndryshuar, ka ende transferime për t’u bërë. Përsa i përket shitblerjeve, nuk dua të merrem me Tiranën, pasi ne shohim shtëpinë tonë, dhe me këtë merret klubi. Olsi Rama do të vijë në Shqipëri këto ditë dhe do të arrijmë në një konkluzion”.

Nuk mungoi edhe një krahasim me fatin e trajnerëve të kaluar italianë tek Partizani, që u larguan shpejt. “Ndoshta e mendoni ju, unë jam optimist për veten, – u shpreh trajneri, – Mendoj për ndeshjen e radhës, ndërsa se çfarë vjen më pas nuk mund ta di. Në fund të fundit, nuk varet prej meje”.

Sfidanti.al