Ronaldo cilësohet hero, por paska shënuar pak pa penallti që nga 2018-ta!

Portugezi gjithnjë është krahasuar me Lionel Mesin, ndonëse këto kohë kanë hyrë në llogari edhe Robert Levandovski apo Karim Benzema. Kristiano Ronaldo u bë edhe një herë hero tek Mançester Junajtidi duke e nxjerrë nga “balta” ekipin e tij që po kritikohej fort. CR7 shënoi golin e fitores 3-2 me përmbysje ndaj Atalantës në Champions. “Ai është i pashmangshëm”, – shkruan me gjithë shpirt faqja zyrtare e klubit në Tuiter, duke botuar foton e CR7-ës pas golit! Suksesi lehtësoi presionin mbi trajnerin Solskjer pas disa rezultateve aspak pozitive së fundmi. “Ne luajtëm mirë edhe në pjesën e parë, – tha ai, – Duhet t’i respektojmë lojtarët. Ronaldo është i madh para portës, ata që e kritikojnë le të shikojnë sesa vrapoi ai këtë here”.

Ronaldo shënoi gol fitues edhe në ndeshjen e kaluar në Champions, në fitoren 2-1 ndaj Vijarrealit. Televizioni amerikan ESPN thekson se “Ronaldo ka 42 gola fitues të ndeshjeve në Champions, ndërsa Mesi është direkt pranë tij me 39!” CR7 nuk mund t’i shmanget krahasimit me rivalin e tij të madh argjentinas, i cili shënoi dy gola për Paris SG në fitoren 3-2 ndaj Lajpcigut po në Champions. Gjithsesi, statistikat i japin më shumë të drejtë argjentinasit që ka shënuar 161 gola pa penallti që nga 2018-ta, ndërsa Ronaldo vetëm 97.

Sfidanti.al