Në kampionat po “lëngon” rëndë, dhe tifozët janë gati ta marrin “me dru”. Ama, sapo “del” nga Italia, Roma kthehet në diçka tjetër. Liga e Kampionëve, ashtu si sezonin e kaluar, është “toka e premtuar” për kryeqytetasit që arritën një fitore të rëndësishme në fushën e CSKA-së së Moskës. Dy gola të shënuar e vetëm një i pësuar, provë force fituar me rrjetat e Kostas Manolasit e Lorenco Pelegrinit, dhe mbërritje në kuotën e 9 pikëve.
Përjashto humbjen e rëndë të ndeshjes s parë, 0-3 në Madrid me Realin, Roma ka fituar tre takime radhazi, me golaverazhin 7-1. Natyrisht, ka mundur Viktorian e Plzenit dhe CSKA-në e Moskës, jo skuadra të klasit të parë, por gjithsesi ka qenë e fortë. Në të kundërt, në Serinë A, është në vend të 9-të, plot 15 pikë prapa Juves, kur kanë kaluar vetëm 11 javë kampionat.
Romës i duhet qoftë edhe 1 pikë për kualifikimin në Champions, madje mund të kalojë turin edhe nëse i humbet të dyja ndeshjet e mbetura, me kusht që CSKA-ja të mos marrë 6 pikë.
Sfidanti.al