Rikthimet e rrezikshme, a mund ta pranojnë Tiranën Daja dhe Ard Mema?!

Thuhet se kanë biseduar dhe kanë arritur një dakordësi. Tiranës i është thënë të presë deri në janar, pasi në atë kohë mund të ketë shërbimet e një trajneri të niveleve vërtet shumë të larta, Ilir Dajës. Burime tepër të besueshme pranë klubit kryeqytetas bënë me dijë se tekniku i Skënderbeut ka dhënë shpresë se mund të largohet nga Korça në mbyllje të gjysmës së parë të sezonit, dhe të fillojë punën me fazën përgatitore në nisje të vitit 2020.

Daja ka qenë trajner i Tiranës në periudhën tetor 2015-tetor 2016, por u shkarkua papritmas pas eleminimit nga Kupa dhe barazimit me Vllazninë në Superligë. Që nga ajo kohë ai ishte pjesë e Skënderbeut, me të cilin luajti në Ligën e Europës në 2017-2018, duke arritur deri në fazën e grupeve, si dhe duke u shpallur kampion. Më tej, punoi 1 vit si trajner i Flamurtarit, ndërsa këtë sezon u kthye sërish tek Skënderbeu, ku po kalon probleme për shkak të dobësimit të skuadrës dhe krizës financiare, që detyroi lojtarët të bojkotonin edhe stërvitjen.

Ilir Daja është tri herë kampion i Shqipërisë, me Elbasanin në 2006, Dinamon në 2008 dhe pikërisht Skënderbeun në 2018, ndërsa tek Tirana e shohin si alternativë të rëndësishme edhe pse janë përmendur emrat e Gugash Maganit, të Ardian Memës për një rikthim, apo të një trajneri të huaj.

Sfidanti.al