Prag Bajern-Totenhem, a do të ketë sukses Murinjo në Mynih?!

U kërkoi në mënyrë ultimative që të mos e bënin. Lojtarëve të Totenhemit iu tha nga trajneri i tyre, Zhoze Murinjo, që të mos guxonin të shikonin pamjet e humbjes së tyre dërrmuese 2-7 ndaj Bajernit, pësuar në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në Londër. Në stol, në atë kohë, ishte Maurisio Poçetino, ndërsa portugezi nuk dëshiron të ketë lidhje me të shkuarën.

“Ua kam ndaluar lojtarëve ato pamje, – u shpreh Murinjo në konferencën para ndeshjes së sotme në Mynih, – unë vetë e kam parë dy herë atë ndeshje bashkë me ndihmësit e tij, dhe e kam analizuar. Skuadra jo, pasi duhet të përqëndrohemi tek vetja jonë, jo tek Bajerni”.

Trajneri 56-vjeçar u përpoq ta përgatiste sa më mirë skuadrën në një sfidë prestigji, por jo vendimtare, pasi Totenhemi dhe Bajerni e kanë siguruar kualifikimin që më parë. Ai madje la mjaft lojtarë në Londër, mes të cilëve tepër të rëndësishëm si Harri Kejn, Dele Ali, Vertongen apo Orie, për t’i pasur të shlodhur për Premier Ligën. Portugezi e di se çdo të thotë fitore ndaj Bajernit, pasi e ka bërë kur ishte trajner i Interit në finalen e Championsit, si dhe në çerekfinale në 2005, kur drejtonte Çelsin.

Po Bajerni si pritet ta luajë këtë ndeshje? Atmosfera në Mynih nuk është aspak e mirë pas dy humbjeve radhazi në kampionat. Trajneri Hansi Flik nuk ka shqetësime të mëdha me dëmtimet, ndonëse Toliso dhe Boateng patën probleme në fundjavë.

“Duam ta fitojmë ndeshjen për t’i dhënë fund serisë së humbjeve, – tha Flik, – duam ta mbyllim mirë fazën e grupeve në Champions. Po ashtu, dua që të fitojmë të 4 ndeshjet e mbetura këtë vit, dhe synoj padyshim që të vazhdoj të jem trajner i Bajernit”. Bavarezët mund të bëhen skuadra e vetme gjermane që fiton të 6 sfidat e grupeve në Champions, dhe e 7-ta në historinë e kësaj kupe.

Sfidanti.al