Luhet apo nuk luhet derbi, Partizani e bën lëmsh me ndarjen e tribunave!

Pritet si “ujët e pakët”, por mund të dështojë plotësisht. Derbi i kryeqytetit rrezikon të mos luhet për shkak të kundërshtive nga dy faktorë tepër të rëndësishëm, nga Tirana dhe nga Policia e Shtetit. Reagimi kundërshtues i tyre ka të bëjë me ndarjen që Partizani i ka bërë tifozëve nëpër tribunat e “Arenës Air Albania”. Klubi bardheblu, ashtu si edhe Policia, argumenton se ka rrezik përplasjeje mes tifozëve kundërshtarë për shkak të itinerarit të tyre për të ardhur në stadium.

Kjo, sepse tifozët e Partizanit, tradicionalisht, kanë mbërritur në “Qemal Stafën” e vjetër nga rruga e Presidencës, duke kaluar nga Universiteti, dhe kjo i bën që të kryqëzohen me tifozët bardheblu që do të vendosen në tribunën jugore. Nga ana tjetër, tiranasit kanë pasur itinerarin nga rruga para Radio Televizionit Publik Shqiptar, dhe po ashtu do të përplaseshin me rivalët.

Policia e Tiranës ka zhvilluar një mbledhje dhe ka dalë me deklarimin se nuk e merr përsipër sigurinë e derbit, pikërisht për shkak të rrezikut për konflikt. Drejtori sportiv i Tiranës, Arbi Laçi, informon se ia ka drejtuar zyrtarisht kërkesën Partizanit për të bërë ndryshimin e vendosjes së tifozëve. Bardheblutë gjykojnë se tribuna veriore i duhet dhënbë tifozëve të tyre edhe sepse mban emrin e legjendës së Tiranës, “Fatmir Frashëri”.

Gjithsesi, duket se asgjë nuk mund të ndryshohet sepse Partizani ka nisur shitjen e biletave, dhe ndarja e tribunave është bërë  fakt i kryer.

Sfidanti.al