E përditshmja “Marka”, një media e lidhur me mish e me shpirt me Realin, e harroi të paktën për një ditë skuadrën e zemrës. Dashuria e re e gazetës madrilene ishte Kilian Mbape, të cilin e ka dashur gjithmonë që kur emri i tij u lidh me klubin në “Santiago Bernabeu”, por që e dashuron marrëzisht pas asaj që bëri në “Parkun e Princave” mbrëmjen e së martës. “Historia e një shkatërrimi”, ishte titulli i “Markës”, që u duk se ishte një kritikë ndaj “merengesve”, por ishte një ditiramb për Mbapenë. “Kështu Mbapeja shkatërroi Madridin”, ishte titulli i brendshëm, ndërsa jepeshin statistika se sulmuesi gjuajti 7 herë drejt portës, 4 ishin në kuadrat, dhe realizoi me sukses 67 për qind të driblimeve dhe depërtimeve. Ai shënoi golin e vetëm të ndeshjes, pati 18 prekje të topit në zonën e rreptësisë kundërshtare, harkoi topin 3 herë në zonë dhe mori dy ndërhyrje të gabuara. Imagjino, mbrojtësit e Realit nuk e arrinin dot as për t’i bërë faulla! Tashmë, “Marka” dhe Madridi duan me patjetër që ky magjistar francez të luajë në “Bernabeu” sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al