Edhe një tifoz krejtësisht i sëmurë si Tomas Ronsero (Roncero) i gazetës “AS” është dorëzuar pas asaj që i panë sytë në Stadiumin Republikan të Kievit. “Është qesharake, – u shpreh ai për të përditshmen ku punon, – është katastrofale, një mëkat i vërtetë”. “AS” komenton se ky Real i hoqi shpresën dhe iluzionin edhe Ronseros, ndërsa titujt ishin “Reali në kufijtë e katastrofës”, apo “jemi “miell” për Ligën e Europës”.
Gjithsesi, trajneri Zinedin Zidan as nuk dëshiron ta dëgjojë fjalën dorëheqje. “Nuk e mendoj aspak – thotë ai, – do të vazhdoj deri në fund, ashtu si edhe lojtarët. Kemi besim se do t’i kthejmë gjërat për mbarë dhe në Kiev nuk na mungoi futbolli, por fati. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Ka shumë faktorë që ndikojnë, është e vërtetë që jemi në seri negative rezultatesh, por mund t’ia dalim”. Reali të paktën varet nga vetvetja, nëse fiton me Borusian e Mynshengladbahut kualifikohet. Nën drejtimin e Zidanit, Reali kurrë nuk është eleminuar në fazën e grupeve.
Sfidanti.al