Poçetino, jo Barcelonës, sepse është trajner i kohëve të vjetra!

Maurisio Poçetino është një nga trajnerët më të vlerësuar të kohëve të fundit. Në media doli edhe lajmi se presidenti i Barcelonës, Bartomeu, u takua me teknikun e Totenhemit, dhe natyrshëm që kjo pikëpjekje nuk ndodhi për të provuar kafen në ndonjë bar të Londrës apo të kryeqendrës së Katalonjës. Bartomeu bëri një sondazh nëse Poçetino mund të ishte një nga kandidatët për stolin “blaugrana”.

Ajo që dëgjoi, me siguri, nuk e la me shpresë. Vetë Poçetino ka deklaruar, sipas mediave, se nuk do të ndodhë që ai të shkojë në “Kamp Nou”. “Jam tifoz i Espanjolit, – tha ai, – mendoj se nuk ka ndonjë gjë tjetër për të vendosur. Është njësoj sikur (presidenti i Totenhemit) Daniel Levi të më shkarkojë dhe unë të bëhem trajner i Arsenalit”. Një sinqeritet dhe një mentalitet si i kohëve të mëparshme, por mentalitet që këmbëngul të mbetet gjallë dhe i fortë.

“Në futboll, – vazhdoi Poçetino, – është e vështirë t’u qendrosh besnik zemrës dhe emocioneve, por mendoj se përpara sesa të jesh lojtar apo trajner, duhet të jesh besnik. Dashuroj Espanjolin dhe tani edhe Totenhemin”.

Sfidanti.al