Përse UEFA nuk i dënoi klubet “rebele” të Superligës Europiane?!

Mbledhja e kësaj të premteje jepej si “mbledhja e së premtes së zezë”, ndonëse që në fillim kishte dyshime nëse mund të ndodhte gjë. Mediat kishin lajmëruar për synimin e UEFA-s për ndëshkime sportive për 12 klubet që krijuan Superligën Europiane, sidomos për Realin dhe Juventusin, por po ashtu shkruhej se organizmi qeverisës kontinental ishte i përçarë. Kjo përçarje dha frytet e saj dhe UEFA nuk dha dënime për “rebelët”, pra Reali nuk u përjashtua nga ky sezon ndërsa ndodhet në gjysmëfinale, si dhe do të jetë pjesëmarrës i rregullt edicionin tjetër, ashtu si edhe Juventusi. Presidentët Florentino Perez dhe Andrea Anjeli ishin më të kritikuarit, por duket se ata kanë jo pak pushtet në korridoret zvicerane të UEFA-s në Nion. Ndikimi i klubeve të fuqishëm, në të kaluarën, bënë që të krijohej Liga e Kampionëve, ndërsa pritet që të thellohet ndryshimi në Champions në favor të tyre. UEFA është sulmuar se nuk shpërndan siç duhet të ardhurat financiare, sepse klubet e mëdhenj pretendojnë më shumë. Ky është edhe drejtimi në të cilin po shkohet, pavarësisht nga dështimi i Superligës.

Sfidanti.al