Njihet si një nga trajnerët më të mirë të të gjitha kohëve, dhe rivalizon fort për të qenë më i miri. Sër Aleks Ferguson është ende sot e kësaj dite një skocez i ashpër, ndërsa tregon në një dokumentar sesi motivonte lojtarët për të dhënë maksimumin e për të mos u dorëzuar kurrë. “Unë u flisja lojtarëve të mi mbi minatorët dhe dokerët e porteve, – tha ish-trajneri i Mançester Junajtidit, – i pyesja sesi e kishin siguruar bukën prindërit apo gjyshërit e tyre. Këto gjëra i mendoja ndërsa rrija i shtrirë në shtrat në shtëpinë time, sepse doja të godisja në nervat e lojtarëve të mi, doja të ndikoja që ata të ishin më të motivuar. Unë u flisja për njerëzit që kishin qenë të varfër në jetën e tyre. Doja që ata të kuptonin se njeriu punon për të ndihmuar familjen, bën sakrifica, dhe ata duhej të bënin sakrifica për skuadrën për familjen tonë”. Pak a shumë, këtë gjë e thoshte edhe trajneri legjendar i Junajtidit në vitet 50-60-të, Mat Basbi, i cili u tregonte lojtarëve të tij oxhaqet e uzinave që nxirrnin tym, dhe u thoshte se të shtunën ata duhej të luanin për ata punëtorë që punonin në ato uzina, që ata të kishin diçka për t’u kënaqur.
Sfidanti.al