Do të kishte qenë lojtari i ndeshjes nëse do të kishte shënuar. Sulmuesi brazilian ishte i papërmbajtshëm për Paris SG në duelin e Championsit ndaj Bajernit, veçse dy herë u ndal nga shtyllat. Nejmar goditi thuajse çdo pjesë të portës së Nojerit me përjashtim të rrjetës dhe ekipi i tij thuajse e pagoi shtrenjtë. Gjithsesi, PSG u mbajt dhe u kualifikua. “Unë nuk e shënova dot golin për fare pak, – tha Nejmar për RMC Sport, – gjëja kryesore është që unë jam shumë i lumtur që ne u kualifikuam. Ne u përballëm me një skuadër të madhe, ne jemi edhe vetë një skuadër e madhe dhe e treguam sonte. Kemi eleminuar kampionët e Europës. PSG është një skuadër e madhe, por tani le të përqëndrohemi tek gjysmëfinalet”.
Bajerni nuk ishte dot dominues si në Mynih pavarësisht se fitoi, ndërsa francezët humbën raste edhe për meritë të Nojerit, por edhe u ndalën nga Kejlor Navas. Detyra doli më e madhe sesa mund të përballohej. “Ne nuk u eleminuam sonte, – tha Kimih, – patëm nevojë për një rezultat më të mirë në Mynih. Humbëm aq shumë raste. Ishim shumë të lodhur, por dhamë gjithçka për 90 minuta”.
Sfidanti.al