Madhështia e Bajernit nuk mjafton, Paris SG në gjysmëfinale të Championsit

Diferenca në përvojë mes dy ekipeve ishte e thellë, por jo gjithnjë fiton ai që di më shumë. Ndodh që ia del ai që ka më shumë talent, më shumë qartësi dhe fat në momentin e duhur. Këto më shumë i pati Paris SG që arriti të eleminonte Bajernin e madh, kampionin e Gjermanisë, të Europës e të Botës, dhe të mbërrinte mes 4 më të mirave të Ligës së Kampionëve. Brezi i Mbapesë dhe Nejmarit po i afrohet finales së dytë radhazi, diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë. Në sportin amerikan, kur një ekip arrin suksese njërin pas tjetrit thonë se krijohet një “dinasti”. Nuk dihet nëse parizienët do t’ia dalin, por këta dy vjet po bëjën çmos.

Bajerni fitoi në “Park dë Prensis” duke bërë më shumë sesa bëri Barcelona një raund më parë, e duke qenë shumë pranë përmbysjes së madhe, apo siç thoshte Fliku, “mrekullisë së vogël”. Fitoi 1-0 me gol të shënuar Çupo-Moting në 40’, pas topit të marrë nga Alaba. Me PSG-në që kishte shifrat në favor 3-2 nga ndeshja në Mynih, rezultati u barazua në 3-3, por vlejtën golat e shënuar jashtë fushe. Bajerni pati më shumë gjuajtje, 13 ndaj 10, bëri më shumë pasime, dhe pati zotërimin e topit 56 për qind me 44 për qind. Në gjysmëfinale edhe Çelsi i Londrës, ndonëse u mund 0-1 në Sevilje nga Porto. Anglezët kishin fituar 2-0 po në Sevilje.

Paris SG: Navas, Dagba, Danilo Pereira, Kimpembe, Diallo (Baker 59’), Geje, Paredes, Di Maria (Herrera 88’), Nejmar, Draksler (Kean 73’), Mbape. Tr. Poçetino

Bajerni: Nojer, Pavar, Boateng, Hernandez, Dejvis (Musiala 71’), Kimih, Alaba, Sane, Myler, Koman, Çupo-Moting (Martinez 85’). Tr. Flik

Sfidanti.al