E festoi siç duhet mbrëmjen historike, edhe pse do të shkëmbente gjithçka që Golden Stejti të ishte sërish në nivelin e dy sezoneve më parë. Stefën Kërri mund të mos jetë më pjesë e ekipit më të fortë të NBA-së, por sërish di të pushtojë titujt kryesorë mediatikë. Me 53 pikët në ndeshjen ndaj Denverit, ai u bë shënuesi më i mirë i Golden Stejtit në histori duke lënë pas jo më pak se vetë legjendën Uilt Çembërlen. Tani, basketbollisti me numrin 30 ka 17 818 pikë me fanelën e tij të dashur, ndërsa Çembërlen kishte arritur në 17 783. Pritet që Kërri ta bëjë më të madh rekordin e tij, ndërsa me Golden Stejtin ka fituar 3 tituj kampion dhe është shpallur dy herë lojtari më i mirë i sezonit. Fitorja ndaj Denverit ishte 116-107 dhe Kërri është i 7-ti lojtar në historinë e NBA-së me tre ose më shumë ndeshje 50-pikëshe në disa sezone. Në këtë ndeshje, Nikola Jokiç iu afrua tripëll dabëllit me 27 pikë, 12 topa në tabela e 8 asistë.
Sfidanti.al