Në dreq me gjithë këtë futboll, një legjendë vdes në Indonezi!

Në Shqipërinë e Enver Hoxhës u ndalua boksi në vitet 60-të pasi një ushtar i ri humbi jetën gjatë një ndeshjeje, ndërsa sot sporti vazhdon, dhe jetët vazhdojnë të humben. Ndoshta është më e drejtë kështu, përderisa spektaklin e kërkojnë qindra milionë njerëz, por besohet çdo tifoz në botë do të ketë mbetur i tronditur thellësisht nga lajmi që erdhi nga Indonezia, për vdekjen e një ikone të futbollit.

Portieri Çoirul Huda, i skuadrës së Superligës, Persela, u përplas me një shok të skuadrës gjatë ndeshjes ndaj Semen Padangut, dhe ndonëse u dërgua në spital, humbi jetën. Përplasja aksidentale me mbrojtësin Ramon Rodrigez, la pasoja fatale për portierin 38-vjeçar, i cili ishte ende i ndërgjegjshëm pasi u rrëzua në tokë, dhe u ankua për dhimbje të fortë në gjoks. Hudën e vendosën në një barrelë dhe e dërguan me shpejtësi në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal në qytetin Lamongan, por nuk mundën ta shpëtonin.

“Ai ende merrte frymë kur erdhi në spital, – sqaroi doktori Zaki Mubarok, – por në orën 17:00 kishte vdekur. Analiza jonë nxorri si përfundim se kjo ndodhi nga përplasja në kokë dhe qafë”. Huda ishte figurë tepër popullore në Indonezi, duke luajtur gjithë karrierën e tij tek Persela, për të cilën debutoi në 1999.

Sfidanti.al