Zhoze Murinjo mund të kërkojë të adhurohet nga tifozët, por ai ngjan më shumë me “macen” sesa me “qenin”. Portugezi ka lëvizur pa fund, nga një “shtëpi” tek tjetra, duke ndërruar skuadra (dhe tifozë), ndërsa po bëhet gati për “arratisjen” e re. Ku? Paris SG! Nuk ka asgjë zyrtare, asnjë lajm mbi ndonjë marrëveshje të mundshme, por ka vetëm një mesazh (jo edhe aq) të koduar te Murinjos për kryeqytetin e Francës.
“E sigurt është që unë nuk do ta përfundoj karrierën time këtu, – tha ai, duke nënkuptuar Mançester Junajtidin, – djali im jeton në Londër, ndërsa një ditë shkoi të shikonte një ndeshje në Paris. Ai nuk vjen kurrë në Mançester. Pse në Paris? Sepse atje ka diçka të veçantë, magjike, një cilësi e rrallë, rini, është fantastik!”
Portugezi shkoi në “Old Traford” në 2016 pas shkarkimit të Van Galit, ndërsa më parë ka qenë tek Porto, Çelsi, Interi, Reali i Madridit, dhe sërish tek Çelsi. Ai ka fituar 25 trofe në karrierën e tij të lavdishme, ndërsa ka ende ambicie të mëdha, duke qenë në moshën 54-vjeçare.
Sfidanti.al