Tebas sulmon Real Madridin

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka lëshuar akuza të forta ndaj Real Madridit, duke pretenduar se klubi madrilen po e zvarrit qëllimisht çështjen Negreira për të dëmtuar Barcelonën.

Në një dalje publike, Tebas kritikoi qëndrimin e drejtuesve të Real Madridit ndaj hetimeve për pagesat e Barcelonës ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, Jose Maria Enriquez Negreira. Sipas kreut të La Ligës, interesimi i Real Madridit për këtë çështje u shtua pasi Barcelona u largua nga projekti i Superligës Evropiane.

“Po e zgjasin çështjen Negreira si çamçakëz. Real Madridi mendon se Negreira ndodhet në zhveshtoren e çdo gjyqtari, në çdo stadium ku luan Real Madridi”, deklaroi Tebas. Ai kujtoi gjithashtu se La Liga kishte kontaktuar prokurorinë për këtë çështje përpara se ta bënte këtë klubi madrilen.