Presidenti Duka po përpiqet ta bëjë traditë daljen e tij në media dhe ballafaqimin sy më sy edhe me ata që e kritikojnë. Ngjan si një kthesë e papritur e presidentit të FSHF-së, që në 16 vitet e “mbretërimit” të tij ka preferuar të mbajë një linjë tjetër: atë të izolimit apo të përjashtimit të asaj pjese të medias që nuk e ka kursyer kur punët kanë shkuar keq.
Gjithsesi, edhe kjo qasje e re nuk e shkëput dot atë nga tendenca për të evituar pyetjet dhe analizat për gjërat që nuk i pëlqejnë. Dhe ky ndoshta nuk është më një “mëkat” ekskluziv i Dukës, por edhe i atyre që e rrethojnë, apo që e orientojnë për sjelljen e tij në publik.
Sepse nëse i referohemi përmbajtjes së deklaratave që bëri dje presidenti i federatës para gazetarëve, vihej re se nuk përputhej edhe aq shumë pozicioni i tij me atë çka donte të reklamonte. Një president federate nuk mund të mjaftohet para mediave me një letër statistikash dhe të komentojë renditjen e Kombëtares, përqindjen e pikëve, sasinë e golave etj.
Kjo është punë për gazetarët, apo për staticienët e federatës, nëse vërtet ka ndonjë të tillë. Një president federate kur del para medias duhet të paraqesë pikë së pari strategji të reja zhvillimi.
Duhet të shpalosë projekte se si do të përmirësohen sektorët që nuk kanë ecur siç duhet, duhet të mbajë përgjegjësi për gabimet që mund të jenë bërë në menaxhimin e situatave të ndryshme dhe ndoshta në fund mund të kërkojë edhe bashkëpunimin e faktorëve të tjerë për çështje të caktuara. Dhe jo vetëm për kombëtaren, por për futbollin kombëtar ku përfshihen edhe kampionatet vendëse.
Prandaj Duka, kur u pyet se çfarë strategjie ka për të kthyer tifozët në stadiume, u mjaftua vetëm duke thënë se ata i duhen Kombëtares… Prandaj kur u pyet se përse kampionati ynë çon kaq pak lojtarë në ekipet kombëtare, ai u mjaftua duke përsëritur se është çështje niveli… Prandaj kur u pyet se çfarë strategjie do të ketë Kombëtarja në të ardhmen, ai tha se dëshiron edhe lojën e bukur, edhe pikët…
ë asnjë rast nuk foli për strategji konkrete zhvillimi. E vetmja strategji ishte që të evitohej diskutimi për probleme të mprehta që kanë të bëjnë mbi të gjitha me futbollin vendës. Dhe ky është gabimi tjetër që Duka vazhdon të bëjë, por që askush nuk ia thotë.
Ai nuk është presidenti i Kombëtares, por është presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.
I takon Dukës të japë një përgjigje se përse gjatë katër mandateve të tij si president nuk u krijua dot Liga Profesioniste. Se si shpjegohet që, sa më shumë përmirësohet infrastruktura futbollistike, aq më pak tifozë ka në stadiume?
Përse në 2017-ën ende nuk kemi një sponsor zyrtar të Superiores?
Përse klubet e qyteteve me stadiume të reja ose falimentojnë, ose janë në prag falimenti?
Pse shkelet rregullorja me të dyja këmbët në Kategorinë e Dytë?
Pse Dinamo, 18 herë kampione, ndryshon grupin me një të rënë të lapsit?
Kush është fituesi i titullit kampion të sezonit 2015-2016? Pse vazhdojnë të licencohen klube pa plotësuar kriteret minimale?
Kush i dënoi arbitrat me stemën e FIFA-s?
Si do frenohen estradat që kanë kapluar Kategorinë e Parë?
Çfarë mësimesh nxori FSHF nga “pakti” Tirana-Kukësi sezonin e kaluar?
Sa është përmirësuar dhe pasuruar lista e arbitrave elitarë?
Pse vazhdojnë të regjistrohen te profesionistët klube që figurojnë si të falimentuara në Tatime?
Të gjitha këto, por edhe të tjera çështje, duhet të diskutoheshin vit pas viti me forcë nga komuniteti i futbollit. Gjë që nuk ndodh, sepse nuk ekziston as opozita minimale nga ana e klubeve.
Prandaj Duka sillet edhe në publik gjithnjë e më shpesh si menaxher i Kombëtares, ndonëse komandon gjithë futbollin. Dikush duhet t’i thotë se ka përgjegjësi për të gjitha ato që kontrollon dhe jo vetëm për ato që ecin mirë
Jetmir Halilaj
Marre nga Panorama Sport