Thiago Silva mund të bëjë lëvizjen surprizë, të luajë në Bundesliga 2

Një lajm vërtet sensacional po qarkullon në Gjermani. Legjenda braziliane Thiago Silva mund të transferohet surprizueshëm te Wolfsburgu, skuadër që sapo ra në Bundesliga 2 pas humbjes dramatike në play-off ndaj Paderbornit.

Sipas raportimeve të medies gjermane “Kicker”, emri i ish-mbrojtësit të Brazilit i është propozuar drejtuesve të klubit gjerman, edhe pse marrëveshja konsiderohet aktualisht tepër e vështirë për t’u realizuar.

Në moshën 41-vjeçare, Thiago Silva vazhdon të mbetet një nga emrat më të respektuar të futbollit botëror. Në karrierën e tij ai ka fituar Champions League, kampionate në Itali, Francë dhe Portugali, si dhe Kupën e Amerikës me Brazilin.

Rënia e Wolfsburgut në kategorinë e dytë ka tronditur klubin, ndërsa drejtuesit pritet të nisin një revolucion të madh për rikthimin e menjëhershëm në elitë. Pikërisht për këtë arsye, emra me eksperiencë si Thiago Silva po përmenden si pjesë e projektit të ri.

Nëse transferimi do të realizohej, atëherë braziliani do të ndante dhomat e zhveshjes me mesfushorin e Kosovës, Elvis Rexhbecaj, një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjermane. Megjithatë, interesimi për Thiago Silvën mbetet i madh edhe nga klube të tjera dhe ende nuk ka asgjë konkrete për të ardhmen e tij.

Pavarësisht moshës, mbrojtësi brazilian vazhdon të tregojë se ka ende uri për futboll dhe dëshirë për të luajtur në nivele konkurruese.