Mustafi, Xhaka, Shaqiri, kur festimi me shqiponjë trondit Europën!

Ishte saktësisht fillimi i minutës së 12-të në stadiumin e Kardifit. Në atë moment, festimi me shqiponjë u rikthye në elitën e futbollit europian, falë Shkodran Mustafit. Me ta dërguar topin në rrjetë në emër të Arsenalit, ai bëri shenjën tepër të njohur, me dy pëllëmbët e duarve, drejtuar nga shoku i tij i ekipit, lojtari tjetër me origjinë shqiptare, Granit Xhaka.

Ishte pikërisht lojtari i përfaqësueses së Zvicrës që asistoi rrjetën e lojtarit të përfaqësueses së Gjermanisë, por në një Europë të trembur nga emigrantët, dhe nën fantazmat e klisheve nacionaliste, ky festim nuk u prit mirë. Jo edhe aq në Angli, apo Britaninë e Madhe, ku maksimumi i reagimit ishin titujt e gazetave që lajmëronin se Mustafi mund të merrte një gjobë nga Federata për festimin e quajtur politik.

Në kontinent është ndryshe. Ish-lojtari i Zvicrës, Stefan Henshoz, sulmoi pikërisht dje, Xhakën, duke u shprehur se ai nuk e përfaqëson më ekipin kombëtar. “Ai nuk duhet të jetë kapiten i Zvicrës”, – shtoi ish-mbrojtësi, cituar nga gazeta “Blik”, ndërsa në përfaqësuese është hapur çështja e shiritit, me tërheqjen e ish-kapitenit Lihtshtajner.

Gjithsesi, pavarësisht propagandës dhe frymës së momentit, Xhaka mori gati 13 për qind të votave të tifozëve për të qenë ai mbajtës i shiritit. Kjo, pas sondazhit pikërisht në gazetën “Blik”, dhe ishte i dyti pasi favoritit Jan Zomer. Granit Xhaka u bë antipatik për një pjesë të publikut zviceran pasi festoi me shqiponjë golin e shënuar për Zvicrën, kundër Serbisë në Botëror.

Gjithsesi, kërcënimet nuk mjaftohen vetëm me Xhakën. Të tilla mori edhe Xherdan Shaqiri, dhe kjo pasi skuadra e tij Liverpuli u shortua në grup me Crvena Zvezdën e Serbisë. “Shaqiri e di se çfarë e pret në Beograd, – u shpreh drejtori i Zvezdës, Zoran Terziç, – nëse vjen, ai këtu do të jetë më i vogël se një kokërr gruri”. Lojtari ofensiv gjithashtu festoi me shqiponjë, pasi shënoi golin e fitores së Zvicrës, ndaj Serbisë në të njëjtën ndeshje të Kupës së Botës.

Sfidanti.al