Nga trajner i suksesshëm, ai është kthyer në yllin e studiove televizive, siç i ndodhi në Botëror, apo edhe tani pas shkarkimit nga Mançester Junajtidi. Zhoze Murinjo ka nisur punën e tij të re, sërish të paguar shumë mirë, ndërsa një nga pyetjet e para që iu bë ishte ajo e krahasimit Mesi-Ronaldo. Pra, cili është më i mirë nga dy dominuesit e 10 viteve të fundit të futbollit ndërkombëtar?
U mendua se portugezi mund ta kishte ende inatin me patriotin e tij, të cilin e pati në skuadër tek Reali, në vitet 2010-2013, por përgjigja tregoi tjetër gjë. “Është e pandershme të bëhet ky krahasim, – ishin fjalët e Murinjos, – ata janë thjesht të ndryshëm. Të dy kanë arritur gjëra të jashtëzakonshme në karrierë, kanë shënuar shumë gola e kanë fituar shumë trofe”.
“Të fitosh një herë mund të ndodhë, por që të fitosh, fitosh, fitosh, fitosh për 10 vjet me radhë, kjo është jo normale, – vazhdoi Murinjo, – dhe kjo do të vazhdojë derisa ata të thonë mjaft. Unë kam qenë njeri i lumtur, kur e kam pasur Ronaldon në skuadër, ndërsa kur kam pasur Mesin përballë, kam qenë shumë i shqetësuar për ta ndalur”.
Sfidanti.al