Mesi sërish e fiton Topin e Artë, por Barça nuk e fiton dot Championsin!

Në Katalonjë mendojnë se gjërat aty nuk ndryshojnë kurrë, dhe besojnë parullën që ka klubi i tyre i dashur. “Më shumë se një klub”, është emblema e Barcelonës, veçse prej disa viteve gjendja po ndryshon, dje kjo po ndodh për keq. Pavarësisht fitoreve në La Liga, Barça nuk po arrin dot ta dominojë Championsin, siç bënte në kohën e Pep Guardiolës, apo edhe me Luis Enriken.

Kjo është në kontrast me suksesin e Lionel Mesit, që vazhdon të cilësohet si lojtari më i mirë në botë dhe që pritet të fitojë Topin e Artë për herë të gjashtë në karrierë. Kjo, pasi fitoi edhe çmimin e FIFA-s, si Lojtari më i mirë i vitit. Argjentinasi çdo vit është shënuesi më i mirë (këtë herë mund t’ia kalojë Levandovski), fiton Këpucën e Artë në Spanjë dhe në Europë, por Barcelona që nga 2015-ta nuk i jep dot Championsin. Kjo është arsyeja që Mesi ka kërkuar me ngulm kthimin e Nejmarit, pasi beson se bashkë me brazilianin mund ta dominojë sërish Europën. Besohet edhe se katalansit duhet të zëvendësojnë trajnerin Ernesto Valverde i cili ka dështuar dy herë radhazi, ndaj Romës dhe Liverpulit, duke u eleminuar keqazi.

Sfidanti.al