Sot është një gërmadhë, Pamjet tronditëse nga “Donbass Arena”

Nga skena e netëve të mëdha evropiane në një stadium të braktisur nga lufta. Donbass Arena, dikur krenaria e Shakhtar Donetsk-ut dhe një prej impianteve më moderne të Ukrainës, sot paraqet një pamje të dhimbshme shkatërrimi dhe degradimi.

E inauguruar në vitin 2009, Donbass Arena ishte shtëpia e Shakhtar Donetsk-ut dhe një prej stadiumeve kryesore të përdorura gjatë Kampionatit Evropian “Euro 2012”. Por lufta e ka ndryshuar rrënjësisht fatin e këtij impianti, ku nuk është zhvilluar asnjë ndeshje futbolli që nga viti 2014. Përshkallëzimi i konfliktit në rajonin e Donbasit e detyroi Shakhtarin të largohej nga qyteti i Donetskut dhe të zhvillonte ndeshjet në stadiume të ndryshme në Ukrainë. Pas pushtimit rus në shkallë të gjerë në vitin 2022, klubi u detyrua të zhvendoste edhe ndeshjet evropiane jashtë vendit.

Fotografitë e publikuara së fundmi nga mediat britanike dhe të realizuara nga gazetari ukrainas Yuriy Butusov tregojnë përmasat e degradimit të stadiumit. Në pjesën e jashtme mungojnë panele, ndërsa sipërfaqet metalike janë mbuluar nga ndryshku dhe shenjat e amortizimit. Zona përreth është pushtuar nga bimësia e egër dhe duket pothuajse e shkretë.

Një nga pamjet më shqetësuese është ajo e një tabele paralajmëruese për rrezikun e mundshëm nga objektet shpërthyese. Ajo rikujton se pasojat e luftës nuk kufizohen vetëm tek ndërtesat e dëmtuara, por prekin edhe sigurinë e jetës së përditshme. Donbass Arena, që dikur priste mijëra tifozë dhe ndeshje të nivelit më të lartë, është kthyer kështu në një simbol të goditjes që lufta i ka dhënë sportit ukrainas.