Përballë u vunë dy ekipe me nga 5 fitore radhazi, si dhe dy basketbollistë që pretendojnë të fitojnë çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit. Dallas-Klipers do të thotë edhe Donçiç-Leonard, dhe skuadra mike bashkë me yllin e saj ia dolën fare lehtë në Arenën e Teksasit. Suksesi ishte 114-99, dhe thuajse nuk u vu thuajse aspak në diskutim, ndërsa Leonard tregoi gjithë përvojën e një kampioni të konfirmuar ndaj një mëtuesi për të qenë i tillë.
Në moshën 28-vjeçare, dhe me dy tituj të NBA-së në “xhep”, Leonard e luajti ndeshjen ashtu siç duhet, në sulm e në mbrojtje, duke dalë fitues. Ai nuk është se ishte i jashtëzakonshëm, thjesht bëri atë që duhej për të fituar. Leonardi shënoi 28 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, dhe pati një saktësi të mirë në gjuajtje, por jo të paparë.
Donçiç nuk u paraqit keq, por nuk diti ta luante ndeshjen siç duhet. Ai shënoi 22 pikë, kapi 8 topa në tabela, dha 6 asistë dhe vodhi 3 topa nga kundërshtarët. Gjithsesi, gaboi shumë në gjuajtje, me eralizimin 4 nga 14 për dy, dhe 0 nga 8 për tri pikë. Kristaps Porzingis, lojtari qendër nga Letonia, e shprehu shumë qartë atë që ndodhi. “Ata (Klipersat) luajtën sikur po luftonin për të fituar titullin kampion, jo thjesht një ndeshje, – tha ai, – luajtën sikur ishte ndeshje plej ofi”.
Sfidanti.al