Mejuedhër fiton Ndeshjen e Parave, jo Ndeshjen e Shekullit ndaj Mekgregorit!

Ishte një ndeshje e reklamuar aq shumë saqë ishte bërë modë që duhej parë. Në të vërtetë, Flojd Mejuedhër Xhunior-Konor Mekgregor ishte më shumë Ndeshja e Parave sesa Ndeshja e Shekullit, si ato ku në ring kanë qenë Muhamed Aliu, Xhorxh Foremani, Majk Tajsoni apo Lenoks Ljuisi. Mejuedhër fitoi, apo siç shkruan “Marka” spanjolle, “bëri të fitonte logjika përballë guximit”, dhe bëri të vetën një përballje ku fitoi 300 milionë dollarë, ndërsa Mekgregor po ashtu nuk doli keq, edhe pse i mundur, mori 100 milionë dollarë, që siç komenton “Deili Meil” në Angli, “do t’i ndryshojnë jetën”. Në të vërtetë, kishte fituar mjaft deri tani për të pasur një jetë shumë të mirë, më të mirë sesa shumica e njerëzve që jetojnë në këtë planet, dhe ky 100-milionësh thjesht do ta ndihmojë që të “luajë mendsh”.

Mejuedhër tregoi epërsinë e boksit, sidomos duke qenë ai boksieri, ndërsa Mekgregor vinte nga artet e përziera marciale (MMA), nga UFC-ja. Kjo ishte një diferencë e madhe në favor të amerikanit, veçse irlandezi kishte favorin tjetër të madh, moshën, duke qenë 27 vjeç, ndërsa Mejuedhër tek të 40-at. Ndeshja përfundoi në raundin e 10-të me nokaut teknik (TKO), pra Mekgregor e mbylli atë në këmbë. Irlandezi e nisi më mirë dhe fitoi 3 raundet e para, por më pas amerikani pati epërsi dhe e goditi disa herë duke e ndjekur nëpër ring.

U duk sikur, Mejuedhër u përpoq që ndeshja të zgjaste sa më shumë për ta bërë të justifikueshme biletën e paguar nga 20 000 njerëz në “T-Mobile Arena” në Las Vegas, dhe nga paratë e paguara nga ata që e ndoqën ndeshjen në televizion, “paguaj për të parë”. Në fund të fundit, përtej çdo emocioni që padyshim ndeshja krijoi, ajo ishte një tjetër rrahje mes dy njerëzve, pra niveli më i ulët njerëzor nëse flasim për njerëz normalë si ne, që duan t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me fjalë dhe jo me grushta.

Sfidanti.al