Gjithçka është kthyer në një karusel të madh, në një kakofoni që nuk ka shumë lidhje me futbollin dhe që rrezikon ta shkatërrojë sërish skuadrën hijerëndë të Anglisë. Mançester Junajtidi ngjan shumë me një spektakël të tipit “Vëllai i Madh” (Big Brother), sesa me një ekip që lufton për trofe në Premier Ligë dhe në Champions. Analistë me emra sugjestionues si Roi Kin, Geri Nevil, Rio Ferdinand, Xhemi Karrager apo edhe të tjerë, mjaft prej tyre legjenda të dikurshme në “Old Traford” janë kthyer në një tufë korbash që ushqehen mbi kërmat e ndeshjeve të humbura nga “djajtë e kuq”.
Humbja 2-4 në fushën e Leisterit tregoi se kthimi i Kristiano Ronaldos nuk është diçka që mund ta ndryshojë kaq shumë fatin e skuadrës, dhe nuk mund të zëvendësojë një projekt dhe një shpirt ekipi. Përkundrazi, prej kohësh CR7 është kthyer në një gjahtar rekordesh personale dhe nuk është shumë habi që Reali i Madridit dhe Juventusi i dhanë duart. Mançester Junajtidi ka nisur të mbetet rrezikshëm prapa rivalëve si Çelsi, Liverpul e Mançester Siti, ndërsa Solskjer pranon edhe se ka bërë gabime. Edhe pse pronarët e drejtuesit duket se nuk kanë ndërmend ta prekin, situata është e vështirë në çdo konkurrim.
Sfidanti.al