Është si një histori filmi dhe vazhdon të “luhet”. Një 18-vjeçar ka marrë për dore skuadrën më të madhe të Europës në basketboll për meshkuj, duke ndihmuar lojtarë me shumë më tepër përvojë sesa ai. Luka Donçiç e bëri edhe një herë në “El Klasikon” ndaj Barcelonës në Euroligë, duke i dhënë fitoren Realit. Pas një pjese të parë të ekuilibruar (40-38), slloveni kampion i Europës me kombëtaren e tij nuk i la shteg katalanasve me lojën e tij.
Nuk është se shkëlqeu shumë me pikët e shënuara, por bëri gjithçka. Në 26 minuta në fushë, shënoi 16 pikë, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 7 asistë dhe vodhi një top nga kundërshtarët. U vlerësua sidomos roli i tij udhëheqës në sulm dhe në mbrojtje, duke qenë shtylla e ekipit. Reali dhe Barça kishin mungesa, por për fatin e tifozëve vendas në fushë ishte Donçiç, shpresa e vetme e madhe e madrilenëve për të triumfuar në Europë në një sezon të vështirë, ku janë vetëm në vendin e 8-të në renditje, me 6 fitore e 6 humbje.
Sfidanti.al