Liverpuli fiton duelin e parë me Sitin, Superkupën, por sfida vazhdon!

Të kuqtë e vazhduan aty ku e lanë sezonin e kaluar duke mos humbur një finale në Angli. Pas Kupës së Ligës (Karabao) dhe asaj të Anglisë, Liverpuli mori edhe Superkupën vendase, me një fitore të bukur 3-1 ndaj Mançester Sitit. Gjithçka shkoi mbarë për ekipin e trajnerit Jurgen Klop që ishte më lart në pjesën e parë, dhe që vulosi fitoren në 10 minutat e fundit. Me gjasë, u ndihmua edhe ngaqë kishte luajtur 4 ndeshje përgatitore të verës, ndërsa kampionët e Sitit vetëm 2.

Daruin Nunjez e fitoi këtë herë duelin e qendërsulmuesve ndaj Erling Halandit, pasi shënoi gol dhe fitoi penallti, ndërsa gjigandi norvegjez jo vetëm nuk ia doli, por humbi në fund një rast krejtësisht të pastër. Uruguajani mund të kishte shënuar një tjetër, por Ederson e ndaloi vetëm për vetëm. Natyrisht, që në të ardhmen ai do të shënojë. Mohamed Salah po ashtu ishte në nivel të lartë me gol dhe asist, dhe po kështu Trent Aleksandër-Arnold, autori i rrjetës së parë për liverpulasit në stadiumin e Leisterit.

Liverpul-Mançester Siti 3-1

Liverpuli (4-3-3): Adrian, Aleksandër-Arnold (Milner 74’), Matip, Van Dajk, Robertson, Henderson (Eliot 73’), Fabinjo, Tiago Alkantara, Salah (Xhons 90’), Firmino (Nunjez 58’), Diaz (Karvaljo 90’).

Man. Siti (4-3-3): Ederson, Uolker, Dias, Ake, Kanselo, De Brujne (Gyndogan 73’), Rodri, Bernardo Silva, Mahrez (Alvarez 58’), Haland, Grilish (Foden 58’).

Sfidanti.al