Kështu tha golshënuesi Hakim Zijeç pasi blutë e Londrës fituan me shumë vështirësi 1-0 në fushën e Kristël Palasit. “A është më reale të mendohet për Championsin sesa për Premier Ligën?” ishte pyetja, dhe ai u përgjigj thjesht, “në këtë pikë po, nëse do të duhet të zgjedhim”. Çelsi ka 50 pikë në 25 ndeshje, me një distancë tepër të madhe me Mançester Sitin, madje tani edhe me Liverpulin që është 7 pikë larg. Të kuqtë e Jurgen Klopit patën një pasdite shumë të vështirë, edhe ata. Ndonëse luanin në “Anfild”, dhe kishin përballë Noruiçin e vendit të fundit, asgjë nuk u doli sipas llogarive. Milot Rashica kaloi miqtë në epërsi në pjesën e parë, dhe u desh ndryshimi i skemës nga trajneri Klop që të ndryshonte loja. Liverpuli kaloi në 4-4-2 dhe shënoi golat me autorë Sadio Mane, Mohamed Salah dhe Luis Diaz, që të tre sulmues. “Ne u detyruam ta bënim atë ndryshim skeme, – tha Klopi, – dhe kjo e vuri kundërshtarin në vështirësi. Ishte një lëvizje e imja, por edhe e lojtarëve”. Liverpuli ka 57 pikë ndaj 50 të Çelsit, ndërsa Man. Junajtidi, Arsenali apo Uest Hemi janë më prapa.
Sfidanti.al