Një gabim apo një shaka, por që të dyja aspak normale për Mançester Junajtidin. Klubi anglez vuri në siklet një nga lojtarët kryesorë, kur prezantoi afrimin më të fundit, të riun Noam Emeran. Francezi 16-vjeçar u prezantua, ndërsa mbante në dorë një kornizë ku ndodhej një fanelë e Junajtidit me numrin 7, dhe me emrin e tij në shpinë.
Gjithkush e di se tek “djajtë e kuq” këtë fanelë e mban Aleksis Sançez, dhe veprimi që ndodhi në “Old Traford” mund të rëndojë edhe më shumë situatën për sulmuesin kilen. Sançezi është i vetmi nga lojtarët që nuk ka ndryshuar që pas ardhjes së Ole Gunar Solskjerit, pasi vazhdon të jetë “hija e vetvetes” në krahasim me nivelin tek Udineze, Barcelona dhe Arsenali.
Tifozët e Junajtidit, ndërkaq, u hodhën “në sulm” në rrjetet sociale, menjëherë sapo pikasën foton e prezantimit të Emeranit, duke thënë se kjo do të thotë se Sançez do të largohet, apo duke komentuar se adoleshenti francez i ardhur nga Amieni është më i mirë sesa kileni. Një ngacmim ishte: “Kush do t’i thotë Sançezit se e ka humbur fanelën me numrin 7?”
Sfidanti.al