Çelsi? President indiferent, trajner në krizë, ylli kryesor “në gjumë”!

Një lojtar i Bluve të Londrës u paska thënë mediave, pa u identifikuar, se Mauricio Sarri do të shkarkohet nëse skuadra humb një nga dy ndeshjet e radhës. Habi e madhe sesi u përmbys situata pas fillimit të shkëlqyer të sezonit, kur Çelsi ishte pretendent për titull, në krah të Sitit dhe Liverpulit.

Gazetat shkruajnë se problemet fillojnë që me indiferencën e presidentit dhe pronarit Roman Abramoviç, i cili duket se ka humbur interesin për klubin, të cilin e bleu 16 vjet më parë. Kjo, sidomos për shkak të konflikteve politike ruso-britanike, që i krijuan miliarderit vështirësi për të shkuar në Londër.

Po roli i Sarrit ku është në këtë krizë? Trajneri ndoshta nuk e ka kuptuar ende mirë futbollin anglez, diçka që Guardiola e vuajti ndonëse më pak, në sezonin e tij të parë tek Siti. Ka kritika për rolin e francezit Kante në mesfushë, për lojën në mbrojtje, por edhe për mungesën e një sulmuesi të vërtetë. Ndërrimi Higuain-Morata nuk po jep rezultat.

Gjithsesi, shqetësim të madh sjell rendimenti i yllit kryesor, Eden Hazar, i cili jo vetëm nuk po tregon atë që pritet prej tij, por edhe po luan me hope. Një rol jo të vogël ka fakti se e ka ndarë mendjen të shkojë tek Reali sezonin tjetër. Së fundi, skuadra është dobësuar, sidomos në sulm, pasi Abramoviçi nuk pranon të shpenzojë si më parë.

Sfidanti.al