Klivlend në buzë të greminës, shpresa e vetme tek Lebroni!

Doli nga fusha e lojës shprehimisht i shkatërruar. Në moshën 33-vjeçare nuk është e lehtë për Lebron Xhejmsin të mbajë mbi supe një skuadër për 40 minuta apo më shumë në çdo ndeshje. Për fat të keq, ai është i detyruar ta ketë këtë barrë, njëlloj si Anteu i mitologjisë së lashtësisë, ndërsa finalet e Konferencës Lindore janë kthyer në një “malore” të vërtetë.

Boston Sëlltiks kryeson 2-0 ndaj Klivlend Kavaliersit të Xhejmsit, edhe pse numri 1 i botës po shkëlqen si rrallëherë më parë. Në ndeshjen e dytë finale, në Arenën e Bostonit, Lebron pati një tripëll dabëll madhështor, me 42 pikë, 10 topa në tabela e 12 asistë, bllokoi një gjuajtje dhe realizoi 5 nga 10 gjuajtjet për tri pikë, por sërish kjo nuk mjaftoi. Vendasit fituan 107-94, pasi ia kishin dalë edhe më thellësisht në përballjen e parë, 108-83.

A kanë shpresë nënkampionët e NBA-së të kthehen nga gremina e të mbijetojnë? Kur Indiana kryesonte në raundin e parë të plej ofit, “Mbreti” thoshte se “unë kam qenë në humbje 1-3 në finalen e NBA-së, dhe duhet të jem njeriu i fundit në botë që të shqetësohem se humba një ndeshje”. Këtë herë, ai po i përsërit këto fjalë, por gjuha e trupit tregon të kundërtën.

Lebron është i dëshpëruar edhe pse do të luftojë si luan deri në fund dhe, ndoshta, do t’ia dalë të kualifikojë skuadrën sërish për në finale. Do të ishte hera e 8-të radhazi, diçka që e kanë bërë vetëm yjet e Bostonit të viteve 50-të të udhëhequr nga Bill Rasëll.

Nuk dihet nëse do të ketë fuqi, pasi ngërçi e dërrmoi në një ndeshje ndaj Indianës, dhe pas dëmtimit në qafë pikërisht në sfidën e dytë ndaj Bostonit. Fundi i kësaj ndeshjeje e gjeti me qese me akull në gju, në shpinë dhe në qafë, ndërsa si kurrë më parë në karrierë, Lebroni luajti të 82 takimet e sezonit të rregullt, dhe pati rekordin e minutazhit gjatë gjithë edicionit. Edhe ashtu siç është katandisur, “me një dhëmb në gojë”, ai mbetet rreziku më i madh për Bostonin dhe shpresa e vetme për Klivlendin.

Sfidanti.al