Letra e Dukës për pastrimin e futbollit, si vetëtimë në qiell të pastër!

 Nëse letra e presidentit Duka në adresë të kryeprokurores Marku  është vlerësuar si akt i vonuar ndërgjegjësimi apo si një finte për alibi, ftesa që i bën zonjës së ligjit për të pastruar futbollin duket si një vetëtimë në qiell të pastër. Ç’i  shkrepi në kokë  shefit ky zell për të marrë penën, apo na duhet një alibi për eprorët që po na ndjekin me lupë në dorë lart nga  UEFA.  Sido që të jetë puna, nëse beson ndopak tek legjenda qysh në lindje të  lojës me top,  futbolli shtrëngohet  për të bërë letra kur ajo që pasqyrohet nga fusha frymëzon më shumë mosbesim se sa besim. Po të jetë kështu, letra që ka bërë presidenti pas 16 vitesh pushtet të harbuar, tejet hermetik edhe ndaj shtetit të vet, edhe pse e sforcuar, duket si fillimi i dorëzimit .  Një ftesë  për të pastruar oborrin e ndotur thellë të futbollit, ku më e bukura është se ata që janë kujdesur që të kemi sa më shumë  plehra të tipit sportiv, si dhuna, trukimet apo tolerimet, po tregohen të penduar me letra dhe jo me vepra..

Thonë se kur futbolli merr penën dhe shkruan letra,  kjo është si një lojë që të duket sikur mbizotërohet nga çiltërsia , aq sa disa besojnë se nuk ka më sekrete për të ndarë midis njerëzve të dhomave dhe atyre të shkallëve të stadiumit. Për të krijuar një iluzion të tillë ka kontribuar edhe trajneri De Biazi,  i cili gjatë predikimit për “revolucionin kuqezi”, ka lejuar me zell  publikimin e letërkëmbimit me futbollistët. Aty  përmendej deri heroi kombëtar Skënderbeu, pa harruar edhe  frazën delirante  se shqiptarët kur dalin në fushë,  ngjajnë më shumë si shqiponja, se sa si njerëz. Lutemi të mos jetë e vërtetë, të jetë trill i mendjes sonë të dozuar me dyshime, por thuhet se një letër e tillë “droguese” është lexuar para ndeshjes me Serbinë. Ky  mund të jetë rasti tipik kur letra ndihmon më shumë kundërshtarin se sa vetë..shqiptarin.

 

Gezim Sinemati

Botuar ne gazeten Panorama Sport