Higuain, përse nuk e dëshiron më huazimin tek Milani?

Trajneri i tij, Xhenaro Gatuzo, duket i dorëzuar. “Luftëtari” italian deklaroi se Gonzalo Higuain e ka ndarë mendjen të largohet nga Milani, dhe shtoi se është e vështirë t’ia ndryshosh një vendim të tillë, një futbollisti. Edhe vetë një ish-lojtar, Gatuzo e kupton shumë mirë argjentinasin. Po përse vallë, një nga sulmuesit më të vlerësuar dhe më të paguar në botë (9.5 milionë euro në sezon) nuk dëshiron të veshë fanelën e famshme kuqezi?

Arsyet mund të jenë disa, por njëra prej tyre është kryesore, Çelsi. Në Londër drejton ish-trajneri i tij, Mauricio Sarri, dhe nën drejtimin e italianit tjetër, Higuaini shënoi 36 gola, rekordmeni i Serisë A për sa e sa dekada. Futbollisti është sot në moshë të madhe, pra mundësitë për të gjetur ekipin e duhur bëhen gjithnjë e më të vogla, po ashtu, ai në përfundim të huazimit mund të kthehet tek Juvja. Aty ndodhet Ronaldo, dhe e sigurt është që kampionët mund ta largonin përsëri. Nga ana tjetër, tek Milani “nuk po i ndez”, nuk është një “dashuri me shikim të parë”. Pra, Higuain, mezi pret që të shkojë tek “dashuria e vjetër”, tek Mauricio Sarri në Londër.

Sfidanti.al