Mançester Junajtid po vazhdon të kërkojë një trajner, por ndoshta ka harruar se e ka një në stol. Ole Gunar Solskjer sikur ia kujtoi drejtuesve të tij se ai është aty, ndërsa udhëhoqi skuadrën drejt fitores së gjashtë radhazi. As edhe vetë Sër Aleks Fergusoni nuk ia kishte dalë, dhe kishte mbetur deri në pesë.
Suksesi ishte i madh, edhe pse me fat, 1-0 në fushën e Totenhemit, një skuadre që gjatë këtij sezoni ka qenë vazhdimisht pretendente për titull, dhe nuk mund të thuhet se nuk është më. Portieri David De Gea në një krah, dhe sulmuesi Markush Rashford në krahun tjetër (shërbyer nga Pol Pogba) ndihmuan Junajtidin të vazhdojë “ringjalljen” pas shkarkimit të Zhoze Murinjos.
Fitorja bëri që 20 herë kampionët e Anglisë të ngjiteshin në kuotën e 41 pikëve, baraz me Arsenalin që mban vendin e pestë në Premier Ligë dhe që ka ende një golaverazh pak më të mirë. Totenhemi luajti mirë dhe pati mjaft mundësi për të shënuar, por u ndalua nga mbrojtja e fortë mike, por sidomos nga forma e portierit spanjoll, De Gea. Harri Kejn, Dele Ali dhe Tobi Alderveireld iu afruan golit për vendasit në stadiumin “Uembli”.
Totenhemi mbeti 10 pikë larg Liverpulit kryesues, duke pakësuar shanset për titullin, ndërsa Çelsi është vetëm 1 pikë larg në vend të katërt, madje edhe Arsenali e Junajtidi janë vetëm 7 pikë prapa. Mançester Junajtidi, ndërkaq, mund të pretendojë realisht për një vend në zonën Champions.
Londinezët duket se do të vuajnë mungesën e përvojës, pavarësisht punës shumë të mirë të trajnerit Poçetino. Që nga viti 2008, ata nuk kanë fituar asnjë trofe, dhe kjo bën që ta ndjejnë presionin sa herë që janë pretendentë.
Sfidanti.al