Heroizmi i Atlantës, eleminon Filadelfian e del në finalen e Konferencës

Që nga viti 2015 nuk ia kishte dalë, por ja që nuk kanë kaluar shumë vjet. Atlanta Hoks u përsërit sërish dhe doli në finalen e Konferencës Lindore, edhe pse nuk ishte favorite. Fitoi ndeshjen e shtatë103-96 duke habitur basketbollin amerikan. Ishte një paraqitje skuadre nga Atlanta që arriti një triumf të madh sepse luajti në fushën e Filadelfias, skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt në Konferencën e Lindjes. Kevin Huerter shënoi 27 pikë, si dhe pati 7 topa në tabela e 3 asistë, Trej Jang shtoi 21 pikë dhe 10 asistë, Danilo Galinari arriti në 17 pikë e 5 topa në tabela, Kollins pati 14 pikë e 16 topa në tabela, ndërsa Klint Kapela shtoi 13 pikë e 6 topa në tabela. Një kontribut i rëndësishëm përballë një skuadre që kishte në përbërje një nga 3 basketbollistët më të mirë të sezonit, Xhoel Embijd.

Embijd ishte shënuesi më  i mirë në parket me 31 pikë, po ashtu kapi 11 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, dhe pati nga një vjedhje topi e bllokim gjuajtjeje. Ai ishte mesatarisht mirë në gjuajtje, por jo në nivelin e tij më të lartë. Tobias Harris pati 24 pikë e 14 topa në tabela (4 asistë), ndërsa Seth Kërri 16 pikë. Ben Sajmëns u kritikua shumë duke shënuar vetëm 5 pikë, e duke qenë shumë pak aktiv me vetëm 4 gjuajtje në 36 minuta, ndonëse kapi 13 topa në tabela. Ai u kritikua nga Embijd dhe trajneri.

Sfidanti.al